Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi një një komunikim për mediat u shpreh se asnjë ministër apo deputet nuk mund të përfitojë nga pasuria e shtetit.
Ai gjithashtu foli edhe te mandati i ministres, Olta Xhaçka si dhe u shpreh se ajo ka fjalën e fundit.
“Kushtetuta e thotë qartë, në mbrojtje të interesit publik. Asnjë prej deputetëve nuk mundet të ushtrojë aktivitet fitimprurës apo të përfitojë nga pasuria e shtetit. Dhe sanksioni për këtë është humbja e mandatit të deputetit. Në të shkuarën dy deputetë kanë humbur mandatin.
Është një sanksion dhe kjo është bërë për të parandaluar që deputetët apo pushtet mbajtësit të ushtrojnë pushtetin duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve. Kushtetuesja e ka vendosur standardin për dy deputetë që kanë pasur përfitime shumë herë më të vogla se aq duke humbur mandatin.
Është i vetmi sanksion që ka Kushtetuta. Kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme për të parandaluar që deputetët të ushtrojnë pushtetin për t’u pasuruar në dëm të publikut.
Precedenti është vendosur, nëse sot do të bjerë ky precedent, do të zhbëjë pikën 3 të nenit. Të 140 bashkëshortët e deputetëve dhe ministrave do të ushtrojnë përmes kamuflimit që të hyjnë të varfër dhe të dalin të pasur. është detyra dhe nderi që të mbrohet interesi publik. Gardiani i fundit është Gjykata Kushtetuese”, tha ai.