Prefektja e Shkodrës ka thirrur Shtabin e Emergjencave Civile në Prefekturën e Shkodrës. E pranishme në këtë mbledhje ka qenë edhe Ministrja Elisa Spiropali e cila garantoi të gjitha strukturat se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për përballimin e kësaj situate.
Bashkitë kanë kërkuar që qeveria të ndërhyjë pranë Ministrisë së Financave për zhbllokimin e fondeve për të ndërhyrë në situatën e Emergjencës.
Drejtori i Agjensisë Kombetare të Emergjencave Civile, Haki Çako i bëri thirrje të gjithë bashkive të Qarkut të aplikojnë për të përfituar fonde nga qeveria për emergjencat civile.
Shqipëria ka hyrë në ditën e tretë që është pushtuar nga moti i keq me reshje të dendura shiu e erëra të forta.
Lezha dhe Shkodra janë dy vendet me më shumë probleme. Sipërfaqja e përmbytur në Shkodër ka shkuar në 1000 ha, ndërsa në Lezhë janë përmbytur lagjet e qytetit.
Rrugët janë thuajse të pakalueshme, ndërkohë që uji është futur dhe në hyrjet e pallateve dhe hyrjet e shkollave duke mos lënë nxënësit të futën. Një pjesë e mirë e fshatrave kanë mbetur pa energji elektrike.
Mësimi është pezulluar në 56 shkolla të vendit ndërsa lundrimet janë anuluar.