Policia e Tiranës ka arrestuar Sergeto Turullajn 32 vjeç pasi dyshohet se është autor i 4 vjedhjeve. Gjithashtu në njoftimin e policisë thuhet se i riu është i dënuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1., organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Houses”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
– S. T., 32 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
32-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë (punohet për identifikimin e tyre), gjatë vitit 2022, dyshohet se ka kryer disa vjedhje në disa banesa, në Tiranë, konkretisht:
– Më datë 27.10.2022, në rrugën “Muhamet Deliu”, dyshohet se ka vjedhur në një banesë, 30 000 lekë të rinj dhe disa bizhuteri;
– Më datë 30.10.2022, në rrugën “Muhamet Deliu”, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases Sh. M., një shumë parash, dy ora dore dhe dy aparate celulare;
– Më datë 16.11.2022, në rrugën “Abraham Linkoln”, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit M. M., 15 000 euro, 150 000 lekë të rinj dhe bizhuteri;
– Më datë 27.12.2022, në rrugën “Marie Kraja”, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit R. F., një shumë parash dhe disa bizhuteri“, thuhet në njoftimin e policisë.