Autoritetet kineze kanë njoftuar rreth 13 000 vdekje nga Covid-19 në spitalet e vendit midis 13 dhe 19 janarit, duke i shtuar afro 60000 të regjistruara rreth një muaj më parë, pasi ekspertët në vend vlerësojnë se rritja e epidemisë tashmë ka arritur kulmin e saj.
Raporti i ri u njoftua nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndërkohë që ka dyshime për transparencën e të dhënave të siguruara nga Pekini, ndërkohë që numri i të vdekurve mbetet jashtëzakonisht më i ulët se ai i regjistruar nga shumica e vendeve.
Spitalet dhe shtëpitë funerale kanë qenë në kufijtë e tyre që nga fillimi i dhjetorit, kur autoritetet në Kinë hoqën masat që kishin vendosur për të frenuar përhapjen e Covid-19.
Numri i të vdekurve të shpallur nga autoritetet kineze nuk përfshin pacientët me Covid që vdesin në shtëpi, dhe disa mjekë janë ankuar se po dekurajohen nga renditja e sëmundjes si shkaktar i vdekjes në certifikata.
Disa ekspertë të shëndetit publik presin që më shumë se një milion njerëz të vdesin nga sëmundja në Kinë këtë vit, ndërsa kompania e të dhënave shëndetësore Airfinity vlerësoi se këtë javë vendi mund të shihte 36,000 vdekje në ditë.
Ndërsa miliona punëtorë kthehen në vendlindjet e tyre për festimet e Vitit të Ri Kinez, ekspertët janë veçanërisht të shqetësuar për banorët e zonave rurale, ku ka infrastrukturë të pamjaftueshme shëndetësore.
Gjasat e një ringjalljeje të madhe të Covid-19 në Kinë në dy ose tre muajt e ardhshëm janë të vogla, pasi 80% e popullsisë tashmë është infektuar, vlerësoi shefi epidemiolog në Qendrën Kineze.