Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill deklaroi se fillimisht duhet që të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe pastaj të procedohet me planin franko-gjerman. Ai tha se Asociacioni është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit.
“Nëse e lexoni tekstin me kujdes, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Kjo duhet të trajtohet në radhë të parë, pasuar nga ajo që thuhet në propozimin franko-gjerman i cili gëzon përkrahje nga BE. Ky dokument ka të bëjë me ide më të gjera që kërkojnë më shumë kohë”, ka thënë Hill.