I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është raportuar se do të qëndrojë sonte në Prishtinë.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Lajçak për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Për agjendën e Lajçak, ju lutemi që t’i drejtoheni ekipit të tij. Për takimet e kryeministrit Kurti me Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, tha Kryeziu.
Vizitat e shpeshta të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe SHBA-së, në Kosovë e Serbi ndërlidhen me vazhdimin e përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes dyja vendeve.
Të martën, këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka biseduar me telefon me Kurtin, të cilit i ka kërkuar ta pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas një drafti 10 pikësh që ka qarkulluar së fundi nëpër media, që thuhet se është draft i planit franko-gjerman theksohet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Serbia dhe Kosova dalin nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Po ashtu, palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane./ Telegraf