Opozita rikthehet në shesh. Sali Berisha njoftoi sot se do të nisin protestat e qëndrushme kundër qeverisë. 14 maji po vjen, por kryetari i PD-së u shpreh se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë.
“Skenari do të jetë protestë e qëndrueshme, shumëformshme deri në largimin e Edi Ramës. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Meriton largimin dhe procedimin penal. Rama përdori asete ruse kundër opozitës. Nis lëvizja finale për rrëzimin e Ramës. Data, muaji, dita, janë një anë, qëllimi, rrëzimi i Ramës është destinacioni absolut” tha ai.
Një akuzë e kishte edhe për ambasadoren amerikane për rolin e saj në shpalljen “non grata” nga SHBA. “Kam arritur që të faktoj që është edhe Yuri Kim. E cila ka gënjyer në mënyrë të padenjë qeverinë e vet.
Yuri Kim ka nxjerrë së fundmi edhe FBI-në, çka nuk e ka thënë zëdhënësi i DASH. E ka stisur me Edi Ramën për FBI-në? Nuk e di. Por natyrisht mbeten te varianti i DASH-it që thotë se burimi janë gazetat, raportet e fshehta të Ramës dhe OJQ-ve, Delina Ficos dhe ndonjë “Deline” tjetër.
Kjo është ajo që deklaroi zëdhënësi i DASH-it. Por më vonë, zonja Kim shtoi edhe FBI-në. Për këtë kanë folur edhe personazhet e grupit hetim, realisht publikisht. Por mbeten te varianti i DASH-it” tha Berisha.