Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi thotë se lufta në Ukrainë ka rritur dyfish shqetësimin në Ballkan dhe se ky rajon mbetet një vatër e nxehtë, pasi jo të gjitha vendet janë anëtare të NATO-s. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Ministri Peleshi tha se i ndau këto shqetësime edhe Sekretarin amerikan të Mbrotjes Lloyd Austin, me të cilin u takua dje në Pentagon.
Ai tha se Sekretari Austin dha garanci për mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për sigurinë në rajon. Gjatë intervistës për gazetaren Menada Zaimi, zoti Peleshi flet dhe mbi çështjen e sigurisë kibernetike dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim. Ai tha se vetëm kombinimi i shumë faktorëve do të çonte në imunizimin e plotë të sistemeve qeveritare, ushtarake e private të vendit.
“Këtë vit shpresojmë që do të fillojmë ndërtimin e flotës ajrore te helikopterëve “Black Hawk”. Dy të parët tashmë të kontraktuar, të paguar dhe pritet vetëm lëvrimi, do të vijnë këtë vit, në vjeshtën e këtij viti. Ndërkohë që kemi nisur kërkesat edhe për 4 të tjerë. Pra shumë shpejt ne do të kemi një flotë prej 6 helikopterësh “Black Hawk”. Ndërkohë vazhdojmë bashkëpunimin me kompani të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “Lockheed Martin”.
Kujtoj këtu radarin e Midës, një invetim shumë i rëndësishëm që është kontribut jo vetëm për vendin tonë, madje më tepër për hapsirën e NATO-s, sepse ju e dini që policimi ajror i Shqipërisë bëhet nga dy vende të NATO-s, dy vende fqinje dhe aleate në NATO, Italia dhe Greqia, me rotacion. Ndërkohë ne i kontribuojmë këtij policimi apo imazheve të NATO-s me një kapacitet dhe një infrastrukturë shumë moderne të siguruar nga “Lockheed Martin”, që është radari i Midës” tha ai.