Duke folur për NBC, ai deklaroi se do të ketë një hetim të plotë nga Kongresi Amerikan. Komentet e tij vijnë pasi Republikanët kontrollojnë shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve. Jordan është kryetar i një komiteti të posaçëm që do të hetojë përdorimin e agjencive federale amerikane si armë politike.
“FBI ka spiunuar fushatën e presidentit, ka ndryshuar provat përpar gjykatës FISA, ka paguar një burim njerëzor konfidencial edhe pse e dinin se burimi njerëzor konfidencial i kishte gënjyer. Ajo ka shënjestruar prindër. FBI ka bërë një sërë gjërash. Dua të them, FBI bastisi shtëpinë e një ish-presidenti 91 ditë përpara zgjedhjeve, mori telefonin e një anëtari të Kongresit, e kështu me radhë. Dhe më pas, vetëm javën e kaluar, mësuam se një ish-agjent i FBI-së, agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në divizionin e Nju Jorkut, po merrte para nga një rus. Dhe kjo nuk është vetëm kaq- dua të them se ky ishte agjenti special i ngarkuar me kundërzbulimin në Nju Jork, duke marrë para nga Oleg Deripaska- jo ndonjë rus çfarëdo”, tha ai, duke iu referuar skandalit të Charles McGonigal, ku është i implikuar kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Së fundmi, Dhoma e Përfaqësuesve ka krijuar një komitet të posaçëm, që do të hetojë përdorimin e agjencive federale si armë kundër të djathtëve. Anëtarja e këtij komiteti, ligjvënësja e fuqishme republikane, Elise Stefanik tha se pret që ky komitet të bëjë një punë shumë të rëndësishme. Komiteti do përbëhet nga 12 republikanë dhe 9 demokratë.