Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se “vijat e kuqe” të Serbisë në negociatat me Kosovën janë “të qarta”, dhe sipas tij, janë formimi i detyrueshëm i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, mos-njohja e Kosovës dhe mos-anëtarësimi në OKB.
“Gjithçka tjetër është temë për diskutim”, tha Vuçeviç për edicionin e sotëm të gazetës Dnevnik.
Ndër të tjera ministri serb ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se ka përdorur “metodat më perfide dhe më tinzare për të provokuar konflikt dhe për të vazhduar kriminalizimin dhe paraqitjen e serbëve si të këqij”.
I pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se vendimi për Kosovën nuk do të merret nga qytetarët, Vuçeviç tha se “do të shfrytëzohen të gjitha potencialet demokratike” dhe se “çdo gjë do të jetë përpara në sytë e publikut”.