-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: ZAJEDNICA, Kosovën e trazuar po e çojnë ‘bulldogshe’ drejt bosnjëzimit!

Kryesoret

Këtë të hënë, 31 janar, në ambasadën amerikane në Prishtinë janë ftuar njerëz të politikës, të shoqërisë civile, drejtues të qeverisë dhe institucioneve kryesore të Kosovës për një temë të veçantë: krijimin e asosacionit me shumicë serbe, i njohur si Zajdednica.

Asnjëherë më parë Kosova dhe qeveria e saj nuk ka qenë nën një trysni të tillë, të shumëanshme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit, deri në institucionet e specializuara të Bashkimit Evropian.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova shtron pyetjen: A është vërtetë e domosdoshme? A nuk janë të mjaftueshme ata ligje, vendime, urdhëra, mbështetje që janë sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Ahtisaarit, fituesit të Çmimit Nobel për Paqe?

Ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

Kosova shtron pyeten: Vërtetë nuk e cënon Kushtetuten e Kosovës? Si është e mundur që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë vendimin e Parlamentit të Kosovës, duke e gjetur marrëveshjen e nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës? A do të anashkalohet ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve..”

Kosova shtron pyetjen: çfarë sigurie mund të ketë shteti i Kosovës se ky asociacion, me kalimin e pak viteve nuk do të ketë trajtën, qëllimin dhe gjithçka tjetër që paraqet sot Republika Serbska në Bosnje? Qeveria e Kosovës ka pasur gjithnjë mendimin dhe qëndrimin se drafti , i cili nuk ka ka kaluar në vendimet e Kushtetueses, në këtë formë që është nuk mund të kalojë përsëri dhe, si duket, edhe bashkësia ndërkombëtare ka filluar të përceptojë një qëndrim të tillë.

Politika e “bulldogut” , “merre ose lëre” dhe tentimi për të shmangur nga bisedimet dhe vendimet politike shefin e qeverisë Kurti, të cilin nuk e kishin ftuar farw në takimin e kësaj të hëne në ambasadën amerikane nuk janë të frytshme dhe as nuk sjellin progres.

Diplomacia ndërkombëtare ngul këmbë që fillimisht të zgjidhet pikërisht kjo pikë e marrëveshjes, e më pas, në një kohë të pacaktuar, le të bisedohet dhe të vendoset për njohjen dypalëshe dhe normalizimin e marëdhënieve mes dy shteteve!

Kosova shtron pyetjen: Përse të mos ndodhë ndryshe, të bëhet njohja dy palëshe, duke patur garancinë e shteteve demokratike perëndimore dhe, më pas, mbi këtë bazë, të bisedohet edhe për marrëveshjet e tjera.

Deri tani janë miratuar shumë marrëveshje të përbashkta, nga të cilat, mbi 30 të tilla nuk janë zbatuar. Si mund të besohet në një shtet dhe politikën e tij serioze, kur edhe për një çështje rutinore, që e kanë miratuar, si targat e makinave, nuk e zbatojnë? Kush garanton se një ditë Serbia do të mbushet në mend dhe do të heqë nga Kushtetuta e saj pjesën ku ende Kosovën, që e quan Kosovë dhe Metohi, e quajnë teritor serb?

Përplasja e metingashëve serbë në veriun e Kosovës, gjë e paralajmëruar dhe e përsëritur herë pas here, jo vetëm për targat e makinave apo se është arestuar një bandit i njohur, apo për vendosjen e reciproritetit në çështje që, sa janë teknike, aq edhe politike, dëshmojnë se politika serbe mund të ngrejë stuhi edhe në një gotë uji, që pastaj e derdhin vetë, si gjithnjë, duke akuzuar shqiptarët.

Të gjitha partitë politike, ose thuajse të gjitha, nuk janë për miratimin e këtij projekti. Ndërsa shumica qeverisëse është hapur kundër kësaj ideje, gjë që e bënë të njohur edhe ditën e djeshme, opozita e ka lënë topin në portën e qeverisë, duke pritur dy herash: ta mallkojnë nëse e miraton dhe përsëri ta malkojnë nëse nuk e miraton.

Kjo është ndoshta çështja më sensitive e pas luftës, që kërkon guxim për t’a zgjidhur dhe jo të presësh se ku do të gabojë qeveria për të goditur atë.

Le ta zëmë se qeveria do e miratojë marrëveshjen! Kush do të jetë garantuesi se pas kësaj pakica serbe në Kosovë, e cila nuk përbën as 4,3 për qind të popullsisë së Kosovës, do të zërë mend, do të ingranohet në jetën politike, shoqërore dhe institucionale të Kosovës? Askush!

Do të jetë gjithnjë e ditur dhe e pritur që serbët në veriun e Kosovës, edhe pse shumë prej tyre paguhen nga vetë institucionet e saj, do të bëjnë përsëri lëvizjet e dhunshme dhe do të bllokonin gjithçka që do të ishte e mundur, e, po ashtu, është ditur se bisedimet mes drejtuesve të dy shteteve përsëri nuk do të kishin asnjë farë mirëkuptimi.

Në rastin e parë, serbët, të drejtuar politikisht më shumë nga Kisha e tyre thellësisht nacionaliste, se sa nga qeveria, po ashtu thellësisht nacionaliste, përmes protestave synojnë të realizojnë ato trazira, mundësisht të përgjakura, për të krijuar alibinë e krijimit të domosdoshëm të Asosacionit të komunave me shumicë serbe, e njohur si Zajednica, një vetëvrasje poltike e Kosovës;

Në rastin e dytë, presidenti serb, edhe sikur shefi i qeverisë së Kosovës të kishte bërë dhjetra lëshime, ai përsëri do të gjente vjegëzën për mohimin e gjithçkaje. Edhe në këtë rast, synimi i prapaskenës është pikërisht hapi i parë i madh i shtetit serb për krijimin e këtij Asosacioni, që në fakt nuk është vetëm ndarja e Kosovës, por edhe boshnjakëzimi i saj.

Asnjë shkak tjetër të tanishëm nuk ka më të përbashkët se sa ky synim i politikës serbe.

Historikisht, sa herë që shteti serb ka dashur të bëjë një lëvizje të re politike, shoqëruar me dhunë dhe përgjakje, çdo gjë ka nisur nga fjalët e përhapura, fillimisht nga një pjesë e klerit të lidhur fort me pushtetin, pastaj nga njerëz të lidhur drejtpërsëdrejti me qeverinë serbe, është demantuar fillimisht prej saj, ndërkohë që ka përgatitur skenarin e një “incidenti” të mundshëm.

Kjo po ndodh edhe tani në Kosovë.

Ka disa ditë që përfaqësues të lartë të klerit ortodoks serb e, pas tyre, njerëz të politikës, po sjellin dëshmi se synimi themelor është pikërisht ndarja, bosnjëzimi i Kosovës, krijimi i enklave dhe hapësirave serbe brenda shtetit të Kosovës. Sipas tyre, nëse nuk realizohet koncensioni politik i Asosacionit, krijimit të një strukture të veçantë për komunat me shumicë serbe, do të ketë trazira, do të shpallet autonomia e serbëve në Kosovë, do të ngrihen strukturat e saj dhe, e gjithë kjo do të ketë si paraprirje dhunë të dyanshme: nga protestuesit serbë dhe, përballë tyre Policia e Kosovës.

Të gjitha këto që po ndodhin tani nuk janë asgjë tjetër veçse provat paraprake të rikrijimit të gjendjes së ankthit – megjithëse nuk ka asnjë gjendje të tillë, krijimit të mjedisit të dhunës, ku e akuzuar do të jetë Policia e Kosovës, edhe pse të dëmtuarit do të jenë nga rradhët e saj.

Krijimi i një qendre autonome për serbët në Kosovë ka nisur të lulëzojë si mendim pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, kur, pas dhunës së ushtruar ndaj fëmijve shqiptarë që, të ndjekur nga huliganët serbë u mbytën në lumin e Ibrit, kishte një revoltë të pallogaritur shqiptare dhe përplasje të ndjeshme edhe me forcat ndërkombëtare.

Në vitin 2004, kur zemërimi nga zvarritjet ndërkombëtare për statusin e një shteti të ri po shkonte përtej limitit të pritjes, skanimi serb përllogariti gjithçka dhe, duke përfituar nga veprimet e dënueshme të rebelimit shqiptar, i vunë flakën, më shumë vetë ata se të tjerët, disa ndërtesave fetare, duke hedhur akuzën mbi revoltën shqiptare.

Që në vitin 2004 shteti serb ka ngritur strukturat e veçanta, të specilizuara për Kosovën. Në të janë përfshirë akademikë të njohur, politologë, klerikë nacionalistë të rrymës së ashpër, ushtarakë që kanë pasur të kaluar në Kosovë, dhe, për fat të keq edhe shqiptarë të serbizuar.

Përmes këtij mekanizmi të fuqishëm tashmë janë bërë të gjitha detajimet e posaçme për zhbërjen e shtetit të Kosovës, afrimin e një lëvizje nacionaliste serbe në drejtimin e pakicës serbe në Kosovë, depërtimin financiar dhe ekonomik përmes firmave të tyre dhe lidhjeve të dyanshme, rrëzimin e miteve dhe të vërtetave historike, deri në rrënimin e mitit dhe të vërtetës së një figure madhore kombëtare si ajo e Adem Jasharit apo të Adem Demaçit, çka dha frutet e saj në ditëlargimin nga jeta të Demaçit, deri në lëvizjet politike, sociale dhe nacionale të serbëve në Kosovë.

Është periudha kur pala serbe, e ndodhur në të papriturën e qëndrimit të prerë të shqiptarëve , sipas të cilës duhet bërë fillimisht njohja e ndërsjelltë dhe pastaj të zgjidhen hallkat e tjera, në këto bisedime kërkon të tërheqë litarin nga ana e vet, të përfitojë deri në momentin e fundit dhe, nëse presidenca serbe po i zhvillon të gjitha bisedimet mbi bazën e një platforme të ngritur mbi mendimin akademik, shqiptarët, si palë fituese e një lufte dhe bashkërenduese e afërt e mendimit politik euroatllantik, është ende e ngritur mbi folklorizmin, inatet dhe ndasitë, të cilat, nëse do të bjerë qoftë edhe një hektar tokë, nuk do të ketë fitues dhe as të mundur. Të mundur do të jemi të gjithë.

Pikërisht në këtë kohë, jo rastësisht, struktura të veçanta serbe, që nga njerëzit e shërbimit të saj sekret dhe deri tek peshkopët radikale, ngrejnë çështjen e autonomisë për serbët, sidomos në Veriun e Kosovës.

Ministri serb, pjesë e qeverisë së Kosovës, Rakiq, krejt haptas, disa muaj më parë, e mohoi Republikën e Kosovës dhe zotohet të mos e njohë kurrë, ndërsa paguhej nga buxheti i qeverisë së Kosovës. Është shenja që ai u jep elementëve të botës së krimit, të lidhur me atë vetë dhe forcën politike që drejton. Qeveria e Kosovës ka subvencionuar me 40 milionë euro serbët e Veriut për energjinë elektrike që shpenzojnë, kur qytetarëve shqiptarë u ka rritur çmimin e mund ta rritë edhe më tej akoma.

Zyrtarë të lartë në institucionin e Presidencës, vetë zonja Osmani, më shumë e kanë kokën të dëshmojnë se janë kundër qeverisjes në Shqipëri, apo të provokojnë presidentin shqiptar, se sa të analizojnë përse është kjo gjendje në Veriun e shtetit të tyre. Alibia me qeveritë e mëparshme nuk mund të qëndrojë gjithë kohën e qeverisjes së tyre.

Serbët, ata brenda në Kosovë dhe koka e tyre në qeverinë beogradase mund ta provojnë rishtas në ditët e ardhshme, me bllokime masive, lëvizje politike, shoqëruar me aksione agresive, dhe, tani për tani, pasi kanë ngriur struktura të posaçme, mund ta bëjnë. Ata provat i kanë dhënë disa herë që janë të aftë të ngrejnë pluhur edhe mbi tryezën e bisedimeve, megjithëse këtë herë mund të ketë edhe skena të ashpra dhune.

Përballë tyre do të jetë shteti i Kosovës dhe liderët e saj. Nëse opozita mendon se kjo është punë vetëm e qeverisë dhe e Albin Kurtit, atëherë gabimi i tyre do të jetë i rëndë dhe i pafalshëm. Në radhët e opozitës ka mjaft prej atyre që me shumë kënaqësi do të prisnin dështimin e Kurtit, se sa suksesin e tij. Zëra brenda opozitës, që dikur ishte loajale me presidencën e shtetit serb, nuk e kanë kuptuar ende thelbin e politikës në Kosovë dhe për Kosovën.

Qoftë arritja e objekivit madhor, qoftë dështimi i prek ata njëjtë si shefin e qeverisë. Asnjëri prej tyre nuk e ka të drejtën që të lejojë, qoftë edhe në formë mashtrimi apo provokimi, një strukturë që i bie ndesh Kushtetutës së Kosovës.

Nuk mund të ketë autonomi, as politike, as teritoriale, as financiare dhe as shtetërore për një pakicë serbe që, e ndarë në zona të ndryshme banimi, me një pjesëmarrje më pak se 5 përqind të popullsisë, synuese për shkatërrimin e vlerave të krijuara, kur, për më tepër, as disa kilometra larg tyre, në një konfiguracion kompekt, në Kosovën Lindore, jeton një popullsi hegjemone shqiptare, të cilës nuk i lejohet as flamuri i tyre kombëtar dhe po detyrohen përdhunshëm të largohen nga vendlindja.

Çfarë do të ndodhë pas kësaj të hëne në Kosovë? Ditën e djeshme Lëvizja VV ka theksuar:

“Qëndrimi i LV është  kundër themelimit të një Asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike. Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese.”

Këmbëngulja e politikës ndërkombëtare për miratimin e një krijese të tillë ka krijuar përplasjet e pritshme mes qeverisë së Kosovës dhe mendimit të tyre politik. Duket e habitshme, por e vërtetë se, përballë bashkësisë ndërkombëtare janë dy shtete, krejt të ndryshëm, qoftë nga orientimi politik, filozofia dhe vizioni politik. Kosova është njëjtë si Shqipëria, bastioni i mendimit perëndimor, krejt e kundërta Serbia, e cila ideologjikisht dhe financiarisht është e pushtuar nga Eusia putiniste; ndërsa Kosova ka mbështetur gjithë qëndrimet nderkombëtare ndaj Rusisë, shteti serb ka qenë kundër; ndërsa Kosova ka krijuar mjedisin më të mirë të mundshëm, çka mendoj se pak shtete e kanë, për pakicat etnike, shteti serb dhe politika e tij i përbuz ato.

Nëse shteti serb do të kishte të njëjtat dispozita kushtetuese si shteti i Kosovës lidhur me përfaqësimin e pakicave etinike në institucionet qendrore, atëherë më pak se gjysma do të ishin serbë. I kërkohet Kosovës të bëjë atë që nuk e bën shteti serb në shtëpinë e tij.

Kur një shtet, edhe sot e kësaj dite, e trajton kufirin e Kosovës me shtetet fqinj njëjtë si në ditët e Milleshiviqit, ai nuk ka mësuar asgjë, por edhe prej tij duhet pritur çdo gjë. E keqja nuk është një ves që harrohet. Sidomos tek serbët nacionalistë./DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit