Në kuadër të aksionit të koduar “Fijet”, që është shtrirë në të gjithë vendin ku qëllimi është heqja e të gjitha kamerave të vendosura në mënyrë të paligjshme dhe që dyshohet se janë vendosur nga pjesëtarë të botës së krimit, policia e Tiranës gjatë ditës së djeshme mësohet se ka zhvilluar dhe një aksion të veçantë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se janë çmontuar rreth 15 kamera të paligjshme tek shtëpia e Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit, të dy eksponentë të njohur nga policia si autorë të disa ngjarjeve kriminale në vend.
Mësohet se kamerat ishin instaluar mes shtyllave, në muret e pallateve, duke kontrolluar një pjesë të rrugëve që të çonin në banesat e familjarëve të dy personazheve në zonën e Ish-Parkut të Autobuzave.
Më herët gjatë mëngjesit të kësaj të marteje, Policia e Tiranës njoftoi se në vijimin e aksionit të saj u bë sekuestrimi i 155 kamerave të paligjshme në të gjithë kryeqytetin.
Po ashtu, policia bëri me dije se nën hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, janë 37 shtetas të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.