Në Raportin e përvitshëm të publikuar, Organizata Transparency International konstaton se pjesa më e madhe e botës vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit. 95 për qind e vendeve kanë bërë pak, ose aspak përparim, që nga viti 2017, sipas raportit.
Indeksi rendit 180 shtete dhe territore sipas perceptimit të nivelit të korrupsionit në sektorin publik, sipas mendimit të ekspertëve dhe njerëzve të biznesit. Ai mbështetet në 13 burime të pavarura të dhënash, duke përdorur shkallëzimin nga zero në 100 pikë; zero tregon vende shumë të korruptuara, ndërsa 100 pikë – vende me më pak korrupsion.
Shqipëria ka përparuar me 1 pikë, me 36 nga 35 pikë vitin e kaluar. Ajo renditet në vendin e 101, nga 183 shtete që vlerësohen në Raportin e “Transparency International”, por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, thotë se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”.
Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.
Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë. Përmirësim me 1 pikë shënon dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë. Edhe pse ka humbur 1 pikë, Mali i Zi renditet më mirë ndër vendet e rajonit, me 45 pikë.
Nivelin më të ulët të korrupsionit e ka Danimarka, e cila renditet e para me 90 pikë; menjëherë pas saj vijnë Finlanda dhe Zelanda e Re me 87 pikë secila. Sipas Indeksit Global të Paqes, institucionet e forta demokratike dhe kujdesi për të drejtat e njeriut kanë ndikuar që ato të jenë dhe ndër vendet më paqësoret në botë. Në fund të listës janë Sudani i Jugut, Siria dhe Somalia, të cilat prej kohësh janë përfshirë në konflikte të stërgjatura. /VOA