Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot në komisionin e Sigurisë se nuk e ka takuar asnjëherë ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal. Por edhe nëse do ta takonte, ministri tha më tej se nuk do të ishte mëkat, pasi nuk mund të parashikojë të ardhmen.
“Jo, nuk e kam takuar. Po ta kisha takuar, nuk besoj se përbën ndonjë lajm. Kur takojmë dikë nuk mund të shtiem fall, që të parashikojmë që në të ardhmen nuk do të kenë asnjë shkelje apo akuzë nga vendet e tyre. Edhe po ta kisha takuar nuk do të ishte ndonjë mëkat. Ai po hetohet për mosdeklarim të takimeve apo të ardhurave, ju mund ta quani korrupsion. Quhet mos deklarim nga një person që nuk ka lidhje fare me zyrtarët në Shqipëri” tha ai.
Kur u pyet për problemet e mirëmbajtjes së helikopterëve Peleshi tha se është lidhur një kontratë e re. “Nuk jemi atje ku duhet, por jemi në përmirësim për gatishmërinë e helikopterëve. Edhe qasja e re e kontraktimit të mirëmbajtjes, po na jep rezultate shumë të mira. Po shtojmë numrin e mjeteve ajrore për mirëmbajtjen. Kontratat e tyre janë më të forta dhe më të mira. Siguria është më e madhe” tha ai.