Mediat ekuadoriane, “La Hora” i ka kushtuar një tjetër artikull ndikimit që mafia shqiptare ka në qarqet politike të shtetit në Amerikën Latine. Mes të tjerash, përmendet edhe Dritan Rexhepi i cili njihet si kreu i një grupi kriminal shqiptar që merret me shpërndarjen e lëndëve narkotike në Ekuador.
Më 22 janar, José Serrano Salgado, ish-ministër i Brendshëm i regjimit Rafael Correa sulmoi presidentin aktual Guillermo Lasso, se e kishte akuzuar atë për lidhje me akte të supozuara korrupsioni. Serrano sfidoi presidentin dhe e pyeti për njohuritë e tij për mafian shqiptare.
“Ekuadori sot është vendi më i pasigurt në Amerikën Latine, 25 vdekje për 100 mijë banorë në menaxhimin tuaj të kotë, në menaxhimin tim 5 vdekje për 100 mijë banorë. Kush është Narco, që ia dorëzoi vendin Narkos? Mafia shqiptare, ju kujton gjë?”, u shpreh Serrano.
Për gazetaren dhe specialisten e profilizimit kriminal, Ana Minga, një nga karakteristikat kryesore të grupit “është se ata punojnë si klan, familje” madje duke rekrutuar fëmijë 9 vjeçarë për t’i trajnuar si vrasës me pagesë.
Ndër të tjera, në artikullin e medias ekuadoriane shkruhet se Serrano nuk ka sqaruar arsyen e referimit për mafian shqiptare. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që organizata kriminale hyn në radarin kombëtar apo politik të Ekuadorit.
Nga viti 2015 deri në vitin 2021, Dritan Rexhepi i konsideruar si “mbreti” i mafias shqiptare në Ekuador ka qenë i burgosur në burgun Latacunga, nga ku dyshohet se ka drejtonte të gjithë trafikun e drogës.