Turqia e shikon me pozitivitet aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk mbështet atë të Suedisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Qëndrimi ynë ndaj Finlandës është pozitiv, por nuk është pozitiv ndaj Suedisë”, tha Erdogan më 1 shkurt gjatë një fjalimi në Parlamentin turk.
Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Megjithatë, këto dy shtete u përballën me kundërshti nga Turqia dhe që atëherë kanë tentuar që të përmbushin kushtet e vëna nga Ankaraja. Ankaraja dëshiron që Helsinki, dhe Stokholmi në veçanti, të ndërmarrin një qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe Bashkimi Evropian, dhe ndaj një grupi tjetër që pala turke fajëson për puçin e dështuar ushtarak të vitit 2016.
Tri shtetet arritën një marrëveshje qershorin e kaluar për rrugën përpara, por Ankaraja muajin e kaluar pezulloi bisedimet pas rritjes së tensioneve që u shkaktuan nga një protestë në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve.
“Në këtë pikë, Suedia nuk duhet as të tentojë. Ne nuk do të themi ‘po’ për aplikimin e tyre për në NATO për aq kohë sa ata lejojnë djegien e Kuranit”, tha Erdogan./rel