Sekretari amerikan i Shtetit ka vendosur ta shtyjë vizitën në Kinë, pas incidentit me balonën kineze, që sipas Pentagonit dyshohet se po përdorej për qëllimeve përgjimi.
Lajmi u konfirmua të premten nga zyrtarë amerikanë në dijeni të zhvillimeve, të cilët folën në kushte anonimiteti. Kina pranoi sot se balona mbi hapësirën ajrore amerikane ishte e saj, por hodhi poshtë pretendimet se ajo po përdorej për përgjim.
Po kështu Kanadaja e ka thirrur ambasadorin kinez në takim pasi ka vërejtur balonën kineze, mbi hapësirën ajrore të Amerikës Veriore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka vendosur ta shtyjë vizitën në Pekin, njoftuan mediat amerikane, vizitë që ishte parashikuar të zhvillohej në datat 5 dhe 6 shkurt.
Arsyeja për këtë është balona kineze që u vu re të fluturonte mbi qiellin amerikan. Zoti Blinken nuk donte që kjo çështje të dominonte takimet e tij me zyrtarët kinezë, raportojnë më tej media amerikane. Përmes një deklarate të bërë mbrëmjen e së premtes Ministria e jashtme e Kinës konfirmoi se balona e vërejtur mbi qiellin amerikan është e saj.
Në njoftimin zyrtar thuhej se “mjeti fluturues është kinez dhe po përdoret për kërkime meteorologjike dhe kërkime të tjera shkencore. Për shkak të ndikimit të erërave perëndimore dhe pamundësisë për ta kontrolluar, balona devijoi nga kursi i saj”.
Incidenti mund të nxjerrë në pah deri ku Pekini dhe Uashingtoni janë të gatshëm të shkojnë për të spiunuar njëri-tjetrin. Zbulimi i balonës së përgjimit mund të ndikojë mbi këto plane. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy shprehu zemërimin e tij në rrjetin social Twitter.
“Mospërfillja e pacipë e Kinës për sovranitetin e SHBA-së është një veprim destabilizues që duhet trajtuar”, shkroi ai në Twitter. “Presidenti Biden nuk mund të heshtë”.
Kina e pranon: Balona gjigande që fluturoi mbi Amerikë është e jona