Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan po zhvillohet gjyqi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Një dëshmitar ka kontribuar me deklarimet e tij për zgjidhjen e misterit se në vendin e vrasjes të mjekut Pjerin Xhuvani kanë qenë shumë pistoleta të kalibrit të ndryshëm.
Mehmet Greca ka pohuar se mjeku Xhuvani, përpara se të vritej, është bllokuar nga 2 persona që nën bluzë kishin armë që dukeshin pistoleta. Ky fakt është konfirmuar nga dëshmitari duke ju përgjigjur si pyetjeve specifike të avokates Rezarta Tahiraj, që përfaqëson familjarët e viktimës, si pyetjeve të prokurorëve.
Dëshmia e Mehmet Grecës është vlerësuar nga avokate Tahiraj si shumë e rëndësishme sepse kontribuon në dhënien e një shpjegimi të qartë dhe llogjik që në atë ditë të vrasjes ka qëlluar jo vetëm vrasësi por edhe dy persona të tjerë që gjithsesi duken që i përkasin strukturës paramilitare të mbrojtjes së votës ose bashkëpunëtorëve të tyre eventualë të jashtëm.
Është një shpjegim që shpjegon se pse ka predha të kalibrit të ndryshëm të ekspertuar nga policia në vendin e vrasjes. Avokate Tahiraj evidenton se dëshmia e Mehmet Grecës ishte e dobishme edhe për të përgënjeshtruar se vrasja ishte një reagim për ofendimet e marra nga mjeku Xhuvani. Mehmet Greca në fakt pohoi se viktima është vrarë pa ofenduar vrasësin dhe madje as personat e tjerë.