Kryeministri Albin Kurti dje ishte në Pallatin Vahdettin në Stamboll ku u prit nga presidenti turk, Erdogan.
Ky i fundit tha se vendi i tij është i gatshëm t’i japë mbështetje procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për paqen rajonale, nëse kjo gjë kërkohet.
“Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Kurti.
“Ne shpresojmë se procesi i dialogut me Serbinë do të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”.
Ai tha se Turqia ka vazhduar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin që meriton në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë drejtim, ne mbështesim vizionin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, Këshillin e Europës dhe BE”.
Përveç politikës, Kurti me Erdoganin folën edhe për fushën e ekonomisë, tregtisë, energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit.
Erdoğan tha se me marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyri në fuqi në vitin 2019, të dy vendet arritën një momentum pozitiv në vëllimin e tregtisë dypalëshe.
“Si vendi me eksportet më të larta në Kosovë, ne duhet ta rrisim këtë shifër në 1 miliard euro”, tha Erdogan.
Ndërkaq, Kurti u tregua më kërkues nga Turqia në raport me këtë çështje. Turqia është një nga partnerët tanë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë.