“The Week” /Një sondazh i kohëve të fundit nga “The Economist” dhe “YouGov”, ka një lajm të keq për presidentin amerikan Joe Biden: Vetëm 21 për qind e 1500 të rriturve amerikanë të anketuar në fund të janarit duan që ai të kandidojë sërish për president në vitin 2024. Gati e njëjta përqindje nuk ishin ende të sigurt, por për 58 për qind të tyre, përgjigja ishte një “jo” e fuqishme.
Fushata po afrohet me shpejtësi, madje ish-presidenti Donald Trump e ka nisur tashmë. A do të bëjë Biden të njëjtën gjë? Presidenti në detyrë ende nuk e ka shpallur zyrtarisht nëse do të rikandidojë në vitin 2024. Por një lexim i qëndrimeve të fundit sugjeron se ndoshta do ta bëjë këtë, madje shumë shpejt.
Këshilltarët e tij më të afërt janë konsultuar me zyrtarë në shtetet ku zakonisht pritet një betejë e ashpër, ndërsa vetë presidenti po planifikon një seri mbledhjesh fondesh me donatorë demokratë. Një donator thotë se “u është thënë të presin që mbledhja e fondeve të fillojë diku në mars ose prill”.
CNN raporton se Biden pritet ta shpallë kandidaturën menjëherë pas fjalimit mbi Gjendjen e Bashkimit më 7 shkurt. Në fakt, Biden e ka shprehur shumë herë synimin e tij për të kandiduar për rizgjedhje. Pas zgjedhjeve të mesit të mandatit çuditërisht të suksesshme për demokratët, Biden tha: “Synimi im është që të kandidoj sërish!”.
“Biden do të kandidojë, dhe ne po ndërtojmë një infrastrukturë që ai të garojë dhe fitojë sërish”- tha Cedric Richmond, një nga këshilltarët kryesorë të Bidenit, aktualisht pjesë e DNC. Ndërkaq një zyrtar i lartë i administratës tha se ekipi dhe aleatët e Biden po “veprojnë nën supozimin se ai do të rikandidojë raportoi CNN.









