Një shqiptar 22-vjeçar ka shpëtuar një fëmijë në qendër të qytetit Lamia pasi banesa ku 1-vjeçari ndodhej mori flakë.
Në mediat greke ai konsiderohet një hero.
Dionis Abdiaj shpëtoi një djalë 1-vjeçar pasi flakët përfshinë dhomën e tij në një shtëpi të vjetër ku jetonte një grua 57-vjeçare rome me tre nipërit e saj, 6 dhe 1 vjeç pasi prindërit mungonin.
Dionisi ishte duke shkuar për në shtëpi kur dëgjoi thirrje për ndihmë dhe vrapoi për të parë se çfarë po ndodhte.
Sapo ka mbërritur në vendngjarje ka parë shumë tym dhe një prej dhomave ishte rrethuar nga flakët.
Jashtë saj, gjyshja me dy fëmijët më të mëdhenj si dhe fqinjët që thërrisnin për ndihmë ishin në panik.
22-vjeçari sapo ka dëgjuar njërin prej vëllezërve që duke qarë i tha se foshnja ishte brenda në shtëpi hyri në dhomën mes flakëve për të shpëtuar djalin e vogël.
“Fëmija po qante dhe me një zë që dridhej më tha se foshnja ishte në shtëpi. Menjëherë hodha xhaketën dhe i dhashë një goditje të fortë dritares së dhomës. Hyra brenda dhe mora foshnjën që ishte i rrethuar nga flakët. Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Fatmirësisht fëmija shpëtoi dhe është mirë. Bëra atë që do të bënte çdo njeri nëse i rrezikohej jeta…”, ka deklaruar Abdiaj.
Zjarrfikësja dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit përpara se të përhapej në banesat e tjera.