Kryetari i PD Sali Berisha zhvilloi mbrëmjen e sotme një takim me kandidatët për kryetarë bashkie në të gjithë vendin që janë zgjedhur me sistemin e “Primareve”. “Ju jeni misionarët që do të përmbysni monizmin” u tha ai.
“Edi Rama arriti të vendosë në Shqipëri, monizmin e plotë. Të vendosë kontrollin e plotë dhe total në të gjitha pushtetet, sepse rrëmbeu votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. E shndërroi atë në një vlerë fiktive, jo reale. Shndërroi ndërkohë narkoeuron dhe grupet e saj, vendimmarrësin më kryesor për fatin e Shqipërisë, fatet e demokracisë shqiptare, fatet e vendit.
Me shumë, shumë dhimbje, me shumë, shumë keqardhje informoj ju dhe shqiptarët se statistikat e fundit të Eurostatit, që deri në vitin 2021, informonin se 744 mijë shqiptarë e kanë lënë Shqipërinë për vendet e BE-së, kjo shifër para pak ditësh është azhurnuar dhe sot janë 935 mijë shqiptarë që kanë lënë Shqipërinë këto vite vetëm në BE, e jo ata që janë në SHBA, Kanada, Norvegji, pra në hapësirën jo Shengen, jo të BE-së.
Kurrë në histori ky vend nuk është shkretuar nga një pushtim, apo një regjim siç po shkretohet këto vite. Sot një thirrje e përgjithshme është; të shpëtojmë Shqipërinë, ti dalim zot. Shqipëria po vraporon, po zhduket, po vdes me shpejtësi në këtë mënyrë.
Nuk ka një vend tjetër në mënyrë absolute që në harkun kohor 2014-2022 të ketë humbur mbi 35 % të popullsisë së vet. Këto të dhëna dramatike e bëjnë misionin tuaj edhe më jetik për vendin, për shpëtimin e vendit” tha ai.