Ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë, Alda Klosi do të njihet sot me masën e sigurisë në spital, ku është shtruar prej ditës së shtunë, pak orë pasi u arrestua mbrëmjen e së premtes. Ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt kërkoi transferimin në spital me argumentin se ka probleme me zemrën dhe tensionin.
Me këtë lëvizje, ajo ka shanse që t’i shpëtojë sërish burgut dhe të vijojë të trajtohet në spital ose gjykata mund të marrë parasysh gjendjen dhe të japë masë më të lehtë sigurie.
Por Klosi nuk është e vetme që e ka përdorur këtë “kartë”. Pak ditë më parë ishte Arlind Gjokutaj, ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Financave, i cili u “sëmur” sapo shkeli në qeli duke përfunduar në spital, më pas gjykata e çoi në shtëpi.
Kjo praktikë është ndjekur në të kaluarën edhe nga gjyqtar, si rasti i Shkëlqim Mirit, apo ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla që kërkoi nga arratia pezullimin e dënimit të dhënë nga Apeli i GJKKO-së me arsyetimin se është i sëmurë dhe duhet patjetër të jetë i lirë që të kurohet.
Megjithatë, jo të gjithëve u ka ecur ky “marifet”. Ish-ministrit Lefter Koka me këtë argument, gjykata i ka rrëzuar shumë kërkesa për liri dhe vijon që të mbetet në qeli. Një tentativë të tillë e bëri edhe biznesmeni Arben Dervishaj sërish për dosjen e inceneratorëve, që është në shqyrtim.
Rasti i ish-kryetarit të bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe është njëri prej atyre që nuk u mor asnjëherë në konsideratë deri ditën që përfundoi dënimin dhe doli nga burgu pavarësisht tentativa të shumta për të dalë nga qelia me pretendimin e gjendjes shëndetësore.
Kutitë me 500-çe Euro! Kush e tradhtoi dhe sa vite burg rrezikon Alda Klosi?