Foto dramatike nga Turqia. Një burrë mban dorën e vajzës së tij 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë nën rrënojat e një ndërtese të shembur në Kahramanmaras, nga tërmeti i së hënës që goditi Turqinë dhe Sirinë. Babai Mesut Hancer, me një jelek portokalli, shihet i ulur mbi rrënoja, me dorën e majtë duke mbajtur dorën e vajzës së tij pajetë.
Ekipet e shpëtimit po luftojnë me kohën në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura pas termetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 5 mijë njerëzve. Vende të shumta kanë dërguar ekipe për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit.
Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive tha se mbi se 24 mijë e 400 persona ndodhen në terren, një numër i pamjaftueshëm për të mbuluar thirrjet për ndihmë në të gjitha zonat e goditura. Përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuarit u penguan edhe nga temperaturat nën zero dhe mbi 280 pasgoditjet e tërmetit.