KQZ miratoi në mbledhjen e sotme listat e anëtarëve të KZAZ-ve të PS-së, PL-së dhe PSD-së për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Listat për PD-në nuk ishin në rendin e ditës.
Për PD-në paraqitën listat dy grupe të PD-së, të Sali Berishës që shkalla e parë e njohur kryetar dhe nga grupi i Enkelejd Alibeajt që çoi dosjen në Apel dhe vendimi i formës së prerë ende nuk është dhënë.
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se shumë shpejt do të vendosin për fatin e PD-së. Ai tha se aktualisht njihet PD e drejtuar nga grupi i Enkelejd Alibeajt dhe se e ka të thjeshtë për të vendosur, por i kërkoi Apelit që vendosë shpejt për fatin e partisë më të madhe në opozitë.
“Të dyja përgjigjet qëndrojnë. Formalisht ne jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga PD për propozimet për anëtarë të KZAZ-së duke shtuar faktin që kemi dy lista. Një nga zoti Noka dhe lista tjetër nga Indrit Sefa, përfaqësues legjitim i PD-së në KQZ.
Për të mos bërë hipokritin, sikur e kemi thënë. Do të duhet të konkludojmë, sot, nesër, pasnesër, maksimumi deri në datën 7 (mars), mbi legjitimitetin e personit që do të duhet të përfaqësojë interesat e PD-së në KQZ.
Ajo që ka determinuar më shumë është fakti që ne jemi në këtë situatë, edhe pse dikush nuk do që ta lexojë fare, për ta riktheksuar, vendimmarrja e KQZ-së do të jetë strikt bazuar në kodin zgjedhor.
Vendimmarrja do të jetë e thjeshtë, nuk kam asnjë droje për këtë, është vendimi më i thjeshtë që mund të merret. KZAZ-të mund të fillojnë punën pa PD-në, pasi është kuorumi prej 4 anëtarësh” tha ai.
KQZ miraton listat e KZAZ-ve të PS, PL dhe PSD! PD ngërç për vulën