Gjykata e Tiranës caktoi sot masën “arrest me burg” për Marjol Alikon, i cili akuzohet se aksidentoi për vdekje një 74-vjeçare.
Duke i kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës i riu tha përpara gjykatës se nuk e kishte parë teksa ajo kalonte rrugën për shkak se i kishte rënë dielli në sy. Ai pretendoi se nuk kishte konsumuar drogë ditën e ngjarjes, por e kishte marrë atë disa ditë më përpara.
Avokati i Alikos, Edvis Gorishti, kërkoi një masë më të lehtë nga gjykata. Sipas avokatit gjykata duhet të ketë parasysh faktin se autori ka shprehur pendesë për ngjarjen dhe do jetë bashkëpunues.
Sipas prokurorisë i riu kishte konsumuar lëndë narkotike dhe ishte në shkelje të rregullave të qarkullimit. Aksidenti me vdekje ndodhi tre ditë më parë në bulevardin “Zhan D’ark” rreth orës 16:00 të pasdites.