Nga Dylber Balla
Specialistja e ndërtimit, inxhinierja Luljeta Bozo që është edhe deputete në Kuvendin e Shqipërisë në një intervistë për “5pyetjet.al” pas lëkundjeve të fundit sizmike, nisur nga tragjedia në Turqi dhe Siri ngriti edhe njëherë shqetësimet kryesore që vazhdojnë në Shqipëri pavarësisht asaj që ndodhi në 26 Nëntor të 2019. Gjatë bisedës, inxhinierja radhiti disa probleme që ende vijojnë që të jenë shqetësuese pasi nuk janë marrë masat e duhura, duke nisur nga përditësimi i hartës sizmike dhe gjeologo-inxhinierike për të ditur kushtet teknike dhe kodet që duhet t’i përafrojmë me europianët. Shkurt dhe qartë, deputetja kërkoi të të futen sa më shpjet në aplikim eurokodet.
“Ka gjëra që duhen rregulluar. Ka shumë rëndësi dhe nuk mund të presim më shumë, boll kemi pritur dhe duhet të përditësohet harta e rrezikut sizmik dhe gjeolo-inxhinierik. Studimi është gati. Ka dy projekte. Duhet t’ia paraqesin qeverisë. Ne vazhdojmë të projektojmë me hartën e vjetër të ’89, duhet të dalë një hartë e re. E dyta duhet të respektohen rregullat që i kemi shkruar por nuk i zbatojmë gjithmonë. Nuk duhet të ngrihet asnjë objekt pa studim sizmik dhe gjeolo-inxhinierik. Sot akoma ndërtohet me studime përciptazi.
E treta duhet të rishikohen planet urbanistike të zhvillimit duke pasur parasysh rreziqet, nga tërmeti që nuk të paralajmëron, apo përmbytjet dhe rrëshqitjet. Pastaj në vendet e rrezikshme duhen shpenzime për të përforcuar bazamentin për të reaguar mirë përballë goditjeve sizmike. E katërta, ka shumë rëndësi mbikëqyrësi i projektit dhe i zbatimit të projektit, pasi ka akoma më shumë rëndësi. Ai duhet të bazohet jo vetëm me një vizitë në objekt por të kërkojë certifikatat për cilësinë e materialit; betoni, tullat, hekuri. Kontrolli i cilësisë është një hallkë shumë e dobët. Pika kryesore e dobët është studimi i terrenit, sepse nuk e zbatojnë të gjithë.
Kam edhe një shqetësim, nga ky tërmet që ndodhi në 2019, që ne i dimë shkaqet, kemi objekte, që kanë një jetëgjatësi dhe gjatë kësaj periudhe, ai mund të jetojë edhe dyfish pasi varet nga materialet e përdoruara dhe koeficienti i sigurisë. Megjithatë këto që janë të vjetra, që janë në fazën e fundit të jetës së tyre, ose që e kanë kaluar afatin duhet të kontrollohen nga qëndrueshmëria sizmike. Duhet të shikohej nga ekspertët se çfarë shkalle qëndrueshmërie kanë. Nuk po flas për tërmetin e 2019, por nëse bie një më i vogël. Edhe në fund të jetës së vet është dhe një tërmet jo shumë i fuqishëm e palos fare në tokë” tha ajo.
Specialistja e ndërtimit bëri një propozim të fortë. Ajo kërkoi që të ngrihet një grup pune me ekspertë nga qeveria që të analizojë të gjitha godinat e vjetra që u ka kaluar jetëgjatësia e parashikuar dhe nëse paraqesin rrezik të shemben për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve.
“Kodet e reja e kanë të specifikuar jetëgjatësinë e godinës. Në Tiranë kemi pasur shtëpi me qerpiç dy kate që janë 300 vjeçare, por ishin ndërtuar aq mirë saqë nuk kanë pësuar asgjë. Kanë pasur dysheme dërrase dhe jo soleta betoni, por me çati dhe struktura është e lehtë. Në këtë aspekt, grupi që duhet të ngrihet duhet të bëjë analizë, sa kemi ndërtime deri në 1960, që janë dy, tre apo katër kate. Nga ‘60-‘79 sa është stoku tjetër i godinave që janë në këmbë. Dhe këto nga ‘79-‘90 u modifikuan kushtet teknike duke vendosur kolona përforcuese në godiat pese kate për të rritur qëndrueshmërinë e tyre.
Duhet filluar urgjentisht me ato që janë shumë të plakura, që janë në fund të jetës. Ato që kanë mbyllur ciklin të ndërtohen të reja. Nëse kanë probleme, nëse vihet në dyshim siguria e tyre, nuk duhet të rrezikojmë jetë njerëzish. Një objekt e merr një lëkundje, e merr një të dytë, apo të tretë dhe çdo goditje është një lodhje, edhe vetë plaket objekti, vjen edhe një më i fortë dhe mund ta palosë. Nuk janë pak, mund të jetë goxha stok i madh. Ndërsa godinat e reja pas 2019 nuk kam asnjë merak. Projektet janë të sakta dhe të kontrolluara. Nuk duhet të rrezikohet jeta e njerëzve. Të planifikojnë, të zëvendësohen pak nga pak, si sheshe të lira për ndërtim dhe të ndërtojnë sipas rregullave që duhen.
Para ’79 duhen patjetër. Në vitet ‘70-‘79 pallati është në rininë e vet, por nëse është ndërtuar në vitet ’50, tani jemi 2023, ajo po jeton mbi atë kapacitet që ka vendosur kodi. Pra duhet filluar që tek të vjetrat, atje duhet filluar, duhet parë sa është stoku i tyre. Po të jenë një, dy apo tre nuk është ndonjë qamet i madh, sepse ato dy tre kate janë. Çfarë të bësh kur janë me më shumë kate. Kjo ka rëndësi që të dihet. Kështu parashikohen edhe fondet si mund të zhvillohet pasi është e rrezikuar. Njerëzve t’u jepen apartamente dhe atje të ndërtohet sipas rregullave në fuqi” tha Bozo për “5pyetjet.al”.