Raporti vjehër-nuse nuk është gjithmonë një raport i vështirë pasi ato mund të duhen me të vërtetë si nënë dhe bije.
Këtë raport kaq të bukur e shpalosi sot Adriana e cila në prag të Shën Valentinit organizoi një dasmë për nusen e saj rumune në “Ka Një Mesazh Për Ty!”.
Adriana vendosi që në emision të organizonte dasmën pasi donte të shihte nusen e saj me fustan të bardhë.
Nusja, Adriana po me të njëjtin emër siç vjehrra la gjithçka pas në Rumani për të qenë në krah të Ergisit dhe për të jetuar dashurinë e tyre.
Programi “E diela shqiptare” është kujdesur që të mos mungojë asgjë në këtë organizim. Pasi mori mesazhin nga vjehrra, Adriana shkoi të përgatitej e të vishej me fustan, ndërkohë që studioja u arredua.
Gjatë kësaj kohe, prindërit e Adrianës të cilët kishin ardhur nga Rumania me kërkesën e krushkës së tyre, janë pozicionuar pas njërës prej dyerve të studios.
Gjebrea merr në duar unazat dhe kryen ritualin mes çiftit. Kur përmend dëshmitarët, Adriana nis të lotojë duke shprehur dëshirën që të ishin familjarët e saj.
Për çudinë e nuses, nëna dhe i ati ecin drejt skenës duke mbështjellë në një përqafim bijën e tyre të përlotur.
Festa vijon me kërcime tradicionale si vallja e Napolonit por edhe një kërcim rumun. Mes bekimesh, urimesh dhe buzëqeshjesh, çifti i ri pret tortën duke mbyllur gëzueshëm rubrikën.