Sekretari i Përgjithshëm i OKB -së, Antonio Guterres bëri thirrje sot që të mblidhen urgjentisht 400 milionë dollarë donacione për të mbuluar “nevojat më urgjente humanitare” të viktimave të tërmetit në Siri për tre muaj.
Duke folur për gazetarët, Guterres tha se Organizata po kërkon 397 milionë dollarë për të mbledhur për viktimat e tërmetit në Siri.
Ai sqaroi se një apel i ngjashëm po përgatitet edhe për mbledhjen e fondeve për viktimat e tërmetit në Turqi.
Ndihmat e para kanë kaluar sot zonën e kontrolluar nga rebelët në Sirinë veriore përmes pikës kufitare Bab al-Salamah në kufirin me Turqinë. Është hera e parë që ky vendkalim përdoret që nga viti 2020.
Automjetet me ndihma përbëhen nga 11 kamionë të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, tha nga Gjeneva një përfaqësues i kësaj agjencie të OKB-së.
Të hënën vonë në mbrëmje, OKB-ja njoftoi se presidenti sirian Bashar al-Assad kishte miratuar hapjen e dy pikave të reja kufitare midis Turqisë dhe Sirisë për një periudhë prej tre muajsh për të lejuar shpërndarjen në kohë të ndihmës humanitare për viktimat.
Përveç Bab al-Salaama, al-Rai gjithashtu do të rihapet, gjë që “do të lejojë më shumë ndihma të kalojë më shpejt”, tha Guterres.
Kamionët po mbajnë tenda, dyshekë, batanije dhe qilima, tha zëdhënësi i IOM-it, Paul Dillon.
Kalimi kufitar Bab al-Salamah lidh Turqinë me zonat veriore të provincës Alepo, të kontrolluara nga rebelët sirianë besnikë ndaj Ankarasë dhe shtëpia e 1.1 milion njerëzve.
Ajo u mbyll në vitin 2020 nën presionin e Rusisë, një aleate e Damaskut. Që atëherë, vetëm vendkalimi Bab al-Hawa ka funksionuar.