Policia e Shtetit ka nisur hetimet në gjendje të lirë për një 37-vjeçar, i cili ka tentuar që me automjetin e tij të kalojë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me një sasi prej 20 mijë eurosh të padeklaruara.
Sipas policisë, i riu i kishte fshehur paratë në pjesën e motorit të automjetit me shpresën që të mos pikaseshin nga policët kufitare, por nuk ia ka dalë mbanë dhe është zbuluar nga ata.
Shumë monetare e gjetur është sekuestruar nga policia si provë materiale, ndërsa ndaj 37-vjeçarit kanë nisur hetimet për veprën penale të “Mosdeklarimit të të hollave në kufi”.
NJOFTIMI I POLICISË
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, si dhe bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin E. M.
Nga kontrolli, shërbimet e Policisë konstatuan një hapësirë të modifikuar, me qëllim fshehjen e shumës 20 000 euro të cilat ky shtetas tentoi t’i kalonte në PKK Muriqan, pa i deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 37 vjeç, banues në Kamëz. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma 20 000 euro.