Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të qeverisë për krijimin e një kompanie shtetërore që do të prodhojë kartat e identitetit dhe pasaportat në përfundim të koncesionit me kompaninë franceze “ALEAT”. Deputetja demokrate rendit disa arsye se përse ky vendim është i rrezikshëm.
“Ndërprerja e kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike nga një kompani e njohur dhe krijimi i një kompanie shtetërore për prodhimin e tyre është vendim i papërgjegjshëm & abuziv. Në kushtet kur të dhënat personale të ruajtura dhe mirëmbajtura nga qeveria shqiptare janë përdorur për qëllime elektorale; në kushtet kur sistemet e sigurisë janë treguar të dobëta dhe të pasigurta dhe pavarësisht investimeve të larta siguria e sistemeve është cenuar rëndë.
Në kushtet kur eksponentë të policisë janë akuzuar për lidhje kriminale; vendimi i qeverisë që ky shërbim të jepet nga shteti është i rrezikshëm për sigurinë kombëtare! Ruajtja e këtyre të dhënave sensitivie, aftësia që në rrjet të mos penetrojnë persona me rekorde kriminale për të cenuar një nga sisteme që ka rezultuar deri më sot më i sigurti si dhe shqetësimi për përdorime elektorale ashtu si ka ndodhur më parë duhet të jenë tema debati” shkruan Tabaku.