Begaj uroi Kurti për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe përshëndeti arritjet e Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të angazhimeve të marra 15 vjet më parë.

Në lidhje me dialogu Kosovë-Serbi, presidenti vlerësoi domosdoshmërinë e vijimit të këtij dialogu dhe siguroi Kurtin se Shqipëria do të jetë krah Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha sfidat dhe përpjekjet për të zënë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale.

Më tej Begaj theksoi qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacenueshme.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë e strategjik midis dy shteteve dhe nënvizoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat, në dobi të marrëdhënieve ndërshtetërore por edhe të bashkëpunimit kombëtar, si në rajon ashtu edhe në diasporë.