Kur qyteti Stepanivka në rajonin jugor ukrainas të Hersonit u pushtua nga forcat ruse në fillim të marsit të kaluar, dhjetëra fëmijë në një jetimore lokale mbetën të bllokuar. Në atë kohë u bë e qartë se rusët po dërgonin mijëra fëmijë ukrainas në Krimenë e pushtuar nga Moska ose në Rusi.
Sipas një raporti të publikuar më 14 shkurt nga Qendra për Hulumtime Humanitare e Universitetit Yale – që është pjesë e projektit për të drejtat e njeriut që mbështetet nga Departamenti amerikan i Shtetit – të paktën 6.000 fëmijë ukrainas ishin larguar nga territoret e pushtuara të Ukrainës, pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt 2022.
Sipas raportit, aty bënin pjesë “jetimët dhe ata që ishin banorë të institucioneve shtetërore dhe ka të ngjarë që u shënjestruan për t’i dëbuar në territorin e Rusisë me qëllim të birësimit”. Veprime të tilla, u tha në raport, “mund të përbëjnë krime të mundshme lufte dhe në disa raste edhe krime kundër njerëzimit”.
Të 53 fëmijët dhe adoleshentët që Sahaydak kishte nën përkujdesje, nga mosha 3 deri 18 vjeç, u detyruan që të fshiheshin. Në ditët e para të pushtimit, civilët u larguan nga zona, duke marrë me vete familjet e tyre dhe duke shkuar në vende të sigurta. Punëtorët e jetimores nuk bën përjashtim nga kjo dhe shpejt Sahaydak e gjeti veten vetëm me dy pjesëtarë të tjerë të stafit.
Gradualisht, Sahaydak tha stafi i tij që kishte mbetur gjetën strehim për fëmijët në shtëpitë e familjeve që ende po qëndronin në zonat e pushtuara. Disa familje madje strehuan tre-katër fëmijë, duke vënë në rrezik edhe veten.