“Çfarë doni. Jam i mbaruar nga trutë. Njeri jam edhe unë”. Më këto fjalë e nisi seancën gjyqësore. 77-vjeçari Shefki Bylykbashi, i cili mbrëmjen e së premtes vrau djalin e tij 50-vjeçar Hamdi Bylykbashi me çekiç. I moshuari u shfaq i tronditur me kokën ulur mbi tavolinë në kafazin e qelqtë.
Avokati i 77-vjeçarit Shefki Bylykbashit, Nevzat Tarelli tha se ka dyshime se mund të kemi të bëjmë me një vrasje e në kushtet të vetëmbrojtjes. “Ka dyshime se mund të jemi në kushte të vrasjes për vetëmbrojtje apo të tronditjes së forta psikike për shkak të sjelljeve të vetë viktimës, i cili ka pasur varësi nga alkooli dhe ka ushtruar dhunë permanente. Në ditën e ngjarjes viktima pretendohet se ka ushtruar dhunë dhe më pas situata ka precipituar. Ai ka reaguar duke u mbrojtur” tha avokati.
Ngjarja që ndodhi në fshatin Zvezdë fillimisht u raportua si aksidentale, por nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babanë Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, të cilin ka dashur ta hedhë në pusin e ujit në oborr.
Ky i fundit e ka goditur me çekiç në kokë dhe djali vdiq rrugës për në spital. Në dëshminë e dhënë në polici, 77-vjeçari tha se i biri vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, çka ka bërë që të konfliktoheshin ditën e djeshme.
Me kokën ulur, del para gjykatës babai që vrau djalin me çekiç: Njeri jam dhe unë