Në Shqipëri sot ka 528 subjekte të regjistruara që ushtrojnë aktivitet të publikimeve dhe prodhimeve të programeve.
Numri i televizioneve është shtuar ndjeshëm vitet e fundit, sidomos ato të fokusuara në transmetimin e lajmeve 24 orë, një pjesë e madhe e gazetave vijojnë të dalin në print, pavarësisht konkurrencës së lartë nga internet dhe portalet online janë të shumta, ndonëse tregu i tyre vijon të mbetet kaotik.
Sipas të dhënave të tjera të Autoritetit Mediave Audiovizive, në vend ka gjithsej 51 televizione, nga të cilat një publik, 5 kanë licencë kombëtare dhe të tjerat janë private të pajisura me licencë shërbimi audoviziv.
Në krahasim me vitin 2011, numri i subjekteve, që ushtrojnë aktivitet të publikimeve dhe prodhimeve të programeve, pothuajse është dhjetëfishuar dhe kjo lidhet me zhvillimin e vrullshëm të mediave online, por dhe shtimin e televizioneve private.
Vetëm në dy vitet 2020-201 janë shtuar mbi 100 subjekte të regjistruara në këtë aktivitet.
Ndonëse numri i mediave është rritur me shpejtësi, të ardhurat e sektorit nuk janë zgjeruar me ritme aq të shpejta.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, të ardhurat gjithsej në “Aktivitete të publikimeve dhe prodhimeve të programeve” ishin gati 6.8 miliardë lekë, ose rreth 57 milionë euro, duke arritur nivelin më të lartë historik, që kur raportohen të dhënat. Tregu u rimëkëmb me shpejtësi, pas rënies që shënoi në vitin 2020, si rrjedhojë e pandemisë.(shiko grafikun: Ecuria e biznesit të mediave e televizioneve).