Gjykata e Posaçme vendosi që të pranojë kërkesën e SPAK-ut duke kaluar për gjykim në themel dosjen e Incineratorit të Elbasanit. Gjithashtu gjyqtarja ka refuzuar kërkesën e të akuzuarve për gjykim të shkurtuar. Të akuzuar janë disa zyrtarë të lartë, mes tyre ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.
Avokati Sajmir Vishaj kërkoi që gjykata të pushojë hetimet me argumentin se gjykata e Elbasanit është shprehur njëherë për këtë dosje. Ai tha se SPAK-u shpëtoi zyrtarët e ministrisë së Financave.
“U kaluan për gjykim anëtarët e një komisioni që bënë draft dhe jo kontratë. Ministria e Financave është anashkaluar. Ministria që duhet të ishte hetuar, me këtë vendim kanë shpëtuar. I shpëtoi SPAK-u. Nuk ma më diskutim për aq kohë sa dosja kaloi për gjykim” tha ai.
SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim 10 të pandehur dhe 2 kompani, përkatësisht të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. Koka dhe Bllako më herët në seancat e kaluara kanë kërkuar pafajësi.