Partia Demokratike sekuestrimin në Durrës të 22 mijë e 500 ton nafte kontrabandë nga Rusia dhe Libia e lidh me kryeministrin Edi Rama. Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo tha në një deklaratë për mediat se Edi Rama me oligarkët e tij bëjnë pakte pas shpine me të gjithë armiqtë e vendeve të lira.
“Ndalimi i një anijeje në portin e Durrësit me 22 mijë e 500 ton naftë kontrabandë ka ndodhur para dy ditësh. Kapja e kësaj anijeje nuk mund të duartrokitet si punë e mirë e organeve ligjzbatuese, sepse siç dëshmojnë raportet mediatike dhe konfidenciale, për çdo anije të kapur disa dhjetëra lejohen të vazhdojnë shkarkimin.
Anija e kapur me mijëra tonelata naftë vinte nga Rusia, një vend në sanksionet e ShBA dhe Bashkimit Europian. Anijet me naftë ruse, apo nga zonat nën embargo si Libia e Siria, nuk janë tashmë një lajm i ri për kronikën policeske dhe mediatike.
Me sa duket, Rama me oligarkët e tij e kanë në gojë Perëndimin sa për sy faqe, por pas shpine, sa herë u jepet rasti dhe për përfitime personale, bëjnë pakte me të gjithë armiqtë e vendeve të lira.
Sa për kujtesë, pak kohë më parë Progres -Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë dha një kambanë të fortë alarmi me një listë të gjatë shkeljesh, ndër to edhe për trafikun dhe kontrabandën.
Të hapësh Durrësin dhe Adriatikun për anijet ruse, një ëndërr e vjetër e Moskës, është një tradhti e dyfishtë kombëtare. Ta bësh këtë në kohë lufte, kur populli ukrainas përpiqet për lirinë dhe mbijetesën është tradhti globale.
Miqve ndërkombëtarë u themi: Edi Rama nuk mund të konsumojë më nga kreditet e mira të popullit shqiptar me qeveritë e vendeve tuaja. Ka ardhur koha që edhe ju t’i thoni “Mjaft më!” këtij përfituesi lufte” deklaroi PD.
Lëvizjet e anijes dhe zbulimi! Si trafikohet nafta ruse në Shqipëri?