Berlinale është rikthyer në format të plotë. Pas dy vjet kufizimesh pandemie Potsdamer Platz sërish gëlon nga vizitorët e shtumtë nga e gjithë bota, fansa që presin për autografe pas hekurave të tapetit të kuq, gazetarë dhe kineastë të akredituar që vrapojnë nga njëra kino në tjetrën.
Vetëm radhët e gjatat të filmdsashësve me termus dhe libër në dorë duke pritur me orë të tëra te sporteli i biletave, nuk janë rikthyer. Blerjet tani bëhen vetëm në mënyrë digjitale. 183 filma po shfaqen në këto dhjetë ditë në Berlin, 18 marrin pjesë në garën kryesore për Ariun e Artë, çmimin kryesor të Berlinales, që do të bëhet i njohur të shtunën, më 25 shkurt, në një mbrëmje gala.
Njëri prej protagonistëve më të shquar të Berlinales 2023 e mori Ariun e Artë qysh të martën, 21.02.2022 në mbrëmje: Steven Spielberg, regjisori dhe producenti i famshëm nga Hollywoodi u nderua me Ariun e Nderit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në botën e kinematografisë.
Spielberg, i cli vjen shpesh në Berlin, u prit në sallë me ovacione të gjata me minuta të tëra. Por ai ia ktheu falenderimin dhe mirënjohjen publikut gjerman duke thënë se pikërisht në punën e tij ishte frymëzuar nga shumë regjisorë gjermanë si Friedrich Wilhelm Murnau, Ernst Lubitsch, Rainer Werner Fassbinder, Werner Herzog, Margarethe von Trotta, Wim Wenders, Wolfang Petersen, Volker Schlöndorff e Tom Tykwer.
76-vjeçari Spielberg tha në konferencën e shtypit, para mbrëmjes, se “një çmim i tillë të kthen detyrimisht në të kaluarën dhe të vë në mendime”. Sipas tij, të nderohesh në Berlin, në “njërin nga festivalet më sublime të historisë”, është një arritje shumë e madhe në jetë.