Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të enjten se aleatët perëndimorë përmes propozimit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë po synojnë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe njohjen në realitet të saj nga Beogradi.
Ai i bëri këto komente në Parlamentin e Kosovës pas kërkesave të opozitës për të sqaruar pozicionin e qeverisë para takimit të së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thanë se në takimin e 27 shkurtit pritet të diskutohet për propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri Kurti tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit por ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti kritikoi kryeministrin për siç tha paqartësitë e tij lidhur me pozicionin që do të mbajë në takimin e së hënës në Bruksel.