Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e Lartë të DASH, Derek Chollet me të cilin ka diskutuar lidhur me takimin që pritet të mbahet të hënë në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Në njoftimin e bërë nga zyra e qeverisë së Kosovës, bëhet me dije se gjatë bisedës telefonike, Kurti ka konfirmuar qëndrimin e tij për planin franko-gjerman, duke e cilësuar si një bazë të mirë për diskutimet e mëtejshme drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosvoës dhe Serbisë. Kurti tha se përveç njohjes zyrtare, në qendër të marrëveshjes duhet të jenë edhe të drejtat e pakicave kombëtare të të dy vendeve.
Propozimi po ashtu ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga Departamenti amerikan i Shtetit deklaruan më 23 shkurt se presin që Kurti dhe Vuçiç të kenë qasje konstruktive ndaj diskutimeve që do të mbahen në Bruksel.