Deputetët e opozitës në Serbi e kanë akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se të hënën në Bruksel do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore, ku do të duhet të deklarohet për planin evropian për Kosovën.
Deputetja e partisë opozitare “Dveri”, Tamara Milenkoviç Kerkoviç tha në seancën e Kuvendit të Serbisë se Vuçiç do të nënshkruajë në Bruksel “marrëveshjen e parë bazë bilaterale ndërkombëtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Sipas saj, me këtë Marrëveshja e Brukselit humbet rëndësinë e saj dhe vihet në pikëpyetje qëndrimi i vendeve që nuk e njohin Kosovën si të pavarur.
Siç raportojnë mediat serbe, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, ka thënë se “është gënjeshtër se Vuçiç do të nënshkruajë marrëveshje mes dy vendeve”, duke thënë se “presidenti i Serbisë gjatë seancës së fundit parlamentare disa herë ka deklaruar se kurrë nuk do të njohë Kosovën, sepse është pjesë integrale e Serbisë”, transmeton Telegrafi.
Deputeti i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Zoran Stojanoviç, duke lexuar preambulën e Kushtetutës, ku flitet për Kosovën, tha se “as 100 miliardë investime gjermane nuk vlejnë sa një metër i Kosovës”.
Deputetja e Partisë Progresive Serbe, Natasha Jovanoviç, ka thënë se preambula për Kosovën në Kushtetutë është miratuar falë radikalëve, anëtare e të cilëve edhe ajo, dhe ka akuzuar ish-qeverinë se nuk ka bërë asgjë kur Kosova shpalli pavarësinë.