Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i ka thënë të dielën presidentit serb, Aleksandar Vuçiç se, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Përmes një bisede telefonike, Chollet i ka thënë Vuçiçit se pret që takimi i 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, të jetë konstruktiv, dhe me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes.
Kurti dhe Vuçiç do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Chollet ka folur edhe për nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën, në kuadër të dialogut, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Chollet i ka thënë edhe Kurtit një ditë më parë se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Vuçiç është cituar t’i ketë thënë Cholletit se pret një takim shumë të vështirë, mirëpo që Serbia është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, dhe që në këtë kontekst, ai është i gatshëm të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të BE-së.
Propozimi i BE-së pritet të jetë pjesë e agjendës së takimit Kurti -Vuçiq ditën e hënë, plus edhe diskutimi për marrëveshjet e arritura deri më tani.
Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL/