-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Dyndja për patentën! Gonxhe dhe Klosi te “5pyetjet.al”: Mos vraponi si te “Sudja”

Kryesoret

Nga Dylber Balla

Ditët e fundit në të gjithë vendin qytetarët janë dyndur të bëjnë vizitat e nevojshme mjekësore pranë poliklinikave, por edhe institucioneve të tjera për regjistrimin në autoshkollë pas lajmit se çmimi i patentës do të dyfishohet nga 35 mijë lekë që është për kategorinë B, në 85 mijë lekë, vlerë kjo vetëm për kurset e teorisë dhe praktikës.

Fluksi për të bërë gati letrat shëndetësore dhe për të kapur kurset për patentë me çmimin aktual para futjes në fuqi të programit të ri ka vështirësuar shërbimet mjekësore duke krijuar radhë të gjata dhe dyndje. Edhe pse reagimet kanë qenë të shumta, “5pyetjet.al” iu drejtua edhe njëherë drejtorit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i cili sqaroi se marrëveshja e re me “Tatimet” dhe “Autoshkollat” nuk ka lidhje me një datë të caktuar për hyrjen në fuqi.

Ne nuk kemi bërë asgjë që të ndodhë një “ubububu” me data. Asnjë nga autoshkollat nuk ndalohet të punojë sikur e mendon vetë. Nuk kemi caktuar tarifa dhe çmim. Thjeshtë kemi bërë një kosto dhe tatimet kanë marrë parasysh që shpenzimet e detyrueshme për të zbatuar programin zyrtar të patentës nuk mund të bëheshin pa këtë kosto sipas autoshkollave dhe drejtorisë së Tatimeve.

Kjo gjë për këtë efekt do të tatohen mbi këtë referencë. Ata mund të punojnë, mund të bëjnë, dhurata, bonuese, apo oferta, por nga ana tatimore do të respektojnë këtë referencë. E dyta qytetarët do ta paguajnë në bankë dhe do të marrin faturën në bankë që të mos ketë evazion. Paniku është i tepërt. Ne kemi kërkuar fiskalizim” tha ai.

Por kur futet në fuqi? “Programi i ri është në fuqi. Nuk ka datë. Ideja është që Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës e kanë marrë kopjen dhe e vendosin ata nëse e botojnë në fletoren zyrtare, ajo është pjesë e ligjit që kemi sot.

Detyrimi për faturë fiskale dhe tatimore. Duhet të ishin edhe tatimet duke folur, kanë një profil më të ulët, më të mbyllur, por duhet të flisnin, se cilat kanë qenë bilancet e këtyre autoshkollave dhe sa janë të kallëzuara për evazion fiskal sepse nuk bëjnë deklarimet. Kjo ka bërë që kjo të shkatërrojë tregun. Shoqatat kanë kërkuar më shumë kontroll dhe deklarimin e kostove” u shpreh ai.

Pra nuk ka datë kur futet në fuqi? “Marrëveshja është në fuqi. Të gjitha regjistrimet që po ndodhshin në DPSHTRR nuk lejohet regjistrimi pa faturë fiskale në emër të klientit. Në një farë mënyrë zbatimi ka filluar. Autoshkollat duhet të ngrenë nivelin e tyre të shërbimit”.

Gonxhe një paralajmërim kishte edhe për autoshkollat. “Do të ketë kontrolle, nëse do të ketë çmime të dyshimta. Nëse do të kemi prova që programi nuk bëhet i plotë, do ta çojmë te “Tatimet”, ku janë njerëzit, punëtorët, sa karburant ke harxhuar? A është bërë i plotë kursi? Tani është çështje ndërgjegje, nëse tregu i autoshkollave do të shërbejë në nivele të larta.

Kjo është graduale, mund të ketë filluar që sot zbatimi, gjatë marsit dhe në vijim. Nëse ka një njeri që mund të ecë me ujë, apo ta bëjë kursin në mënyrë imagjinare, le ta bëjë. Por kjo nuk ekziston. Duhet të rrish 40 minuta në 30 seanca. Unë të bëj sikur të paguaj, ti bën sikur më bën kursin, kjo është kriminale. Nëse duam një program më të vogël, zotëri ligjvënës ndryshoi ligjin, bëje nga 70 në 30 orë”.

Vrapin e qytetarëve, drejtori i Transportit e krahason me firmat piramidale. “Na vjen shumë keq që njerëzit vrapojnë se mendojnë se një ofertë e caktuar do ua bëjë më lirë patentën në mënyrë fiktive, ky është vrap i gabuar, është si të vraposh që t’i futësh i fundit lekët te “Sudja”. Kjo është shumë gabim. Ne po kërkojmë vetëm që të bëhet programi i plotë. Nuk ka autoshkollë që do të pranonte të jepte shërbimin dhe të kishte fitim të ekzagjeruar” përfundoi Gonxhe te “5pyetjet.al”.  

“5pyetjet.al” iu drejtua për një sqarim edhe drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi. “Nëse e keni fjalën për bashkëpunimin e Tatimeve me DPSHTRR, bëhet fjalë thjeshtë për formalizimin e subjekteve autoshkolla që të respektojnë ligjin sa i përket deklarimit të saktë të aktivitetit të tyre, të ardhurave, të punësuarit dhe vetëm kaq. Nëse bëhet fjalë për marrëveshje bashkëpunimi për formalizimim e aktivitetit të autoshkollave, ju siguroj që edhe pa këtë marrëveshje, ligji është i qartë.

Nëse pyesni për çmimin e patentave, nuk është Administrata Tatimore që cakton çmimet” tha drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi për “5pyetjet.al”. Përfundimi është i tillë, që formalizimi nuk ka datë dhe se foksi tani do të jenë autoshkollat, të cilat e kanë në dorë vetë për çmimet që do të deklarojnë se do të marrin për kursin e patentës dhe si do ta justifikojnë nëse është më i ulët se pragu i vendosur nga marrëveshja kur të kenë kontrollet në derë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit