Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është nën hetim për vrasje, nxitje të emigrimit të paligjshëm dhe mbytje të varkës që shkaktoi 62 viktima.
Turku 50-vjeçar dhe 2 pakistanezë, njëri 25 vjeç, tjetri 17 vjeç përkojnë me përshkrimet e njerëzve që arritën t’i shpëtonin tragjedisë.
Disa të mbijetuar kanë rrëfyer se si ndodhi e gjithë ngjarja, nga fjalët e trafikantëve që të niseshin të dielën se ka më pak postblloqe tek problemet me motorin dhe frika nga policia.
“U nisëm më datë 23 nga Izmiri, në Turqi. Ne i quajtëm ata djem “kapitenët”. Kur na thanë se ishte koha për t’u larguar, shkuam te varka. Na futën brenda, na dhanë secilit nga një biletë me një numër të printuar dhe për të gjithë udhëtimin na dhanë vetëm ujë. Kushtet e detit ishin të këqija. Ata vinin me radhë në krye. Sipas planeve të tyre, ne duhet të kishim mbërritur të dielën, sepse të dielave, thanë ata, ka më pak postblloqe përgjatë bregdetit. Në një moment varka pati një problem me motorin, por njëri nga kapitenët e rregulloi”, tha një prej të mbijetuarve.
Turku 50-vjeçar tentoi t’i shpëtonte prangave dhe qëndroi pas shkurreve derisa mbërritën karabinierët por ishin emigrantët ata që e zbuluan. Dy pakistanezët ishin mes të mbijetuarve dhe dukej se supozonin të shtireshin si emigrantë. Në dëshminë e tyre, kanë mohuar se janë trafikantët.