Nga Dylber Balla
Zija ka pllakosur vendin fqinj. 38 viktima dhe 66 të plagosur është bilanci i aksidentit tragjik në orët e para të ditës së sotme në Larisa të Greqisë, ku u përplas një tren mallrash me një tren pasagjerësh.
Në Greqi jetojnë dhe punojnë mjaft shqiptarë dhe shumë familje janë zgjuar duke telefonuar të afërmit e tyre në vendin fqinj. Por a ka shqiptarë mes viktimave apo të plagosurve nga aksidenti tragjik?
“5pyetjet.al” kontaktoi ambasadoren shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, e cila u shpreh se ende nuk ka filluar procesi i identifikimit të trupave të pajetë.
“Janë akoma duke nxjerrë viktimat dhe nuk kanë filluar ende me identifikimin” tha ambasadorja për “5pyetjet.al”.
Mediat greke raportojnë se operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në vazhdim. Mesazhet e ngushëllimit për tragjedinë në Greqinë kanë qenë të shumta mes tyre edhe nga autoritetet shqiptare.