Dan Hutra, njeri më i lakuar në 24 orët e fundit në Shqipëri për shkak të vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave është emër shumë i njohur për drejtësinë, që dështoi të parandalonte masakrën.
Përpos vrasjes së gruas së parë në 2007, pengmarrjes së njërës kunatë dhe përdhunimit të tjetrës, dhunës së gruas së dytë dhe vrasjeve të djeshme, ai rezulton se është në gjyq i akuzuar edhe si hajdut pulash.
Në muajin Shkurt 2022, 4 muaj përpara se të arrestohej për dhunë ndaj Elena Hysës, Hutra u arrestua në lagjen 15 në Durrës për vjedhje pulash.
Sipas dosjes hetimore ngjarja ka ndodhur në 31 janar 2022, pasi Orjol Shuli, ka konstatuar se në kotecin ku mban pulat kishte hyrë një person. Shuli, ka dëgjuar zhurmë dhe kur ka shkuar tek koteci ka parë personin, i cili është larguar me vrap.
Menjëherë, rreth orës 03:40 të mëngjesit ka kërkuar ndihmën e punonjësve të policisë duke i shpjeguar se është përballur me një person të panjohur, por që është larguar me vrap nëpër lagje.
500 metra më tej, policia arrestoi Hutrën, i cili qëndroi vetë dy ditë në burg dhe doli, por gjyqi vazhdon ende në mungesë për shkak se disa muaj më pas 40-vjeçari u arrestua për dhunë ndaj gruas së dytë.