Presidenti Vladimir Putin provokoi vetë ngjarjet që çuan në nisjen e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë një ish-zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke kundërshtuar një prej argumenteve qendrore të Kremlinit se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes në vitin 2000, ishte katalizator për luftën.
Stephen Hadley, që ka shërbyer për tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së George W.Bush, përfshirë katër vjet si këshilltar i sigurisë kombëtare, hodhi poshtë deklaratat e Putinit. Ai argumentoi se NATO-ja nuk paraqet kërcënim për Rusinë dhe se për vite të tëra Moska kishte qenë e kënaqur që të punonte me aleancën.
“Një përpjekje reale është bërë për të qartësuar se Rusia ishte pjesë e pranuar e Evropës. Dhe NATO-ja nuk është kërcënim për Rusinë dhe NATO dëshiron raporte konstruktive me Rusinë”, tha Hadley për Radion Evropa e Lirë.
“Pra, ka pasur një përpjekje për të tentuar që të zbutet reagimi rus ndaj zgjerimit të NATO-s”, tha Hadley, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përkoi me zgjerimin më të madh të aleancës në historinë e saj: më 2004, kur shtatë shtete të Evropës Lindore, përfshirë tri shtete baltike të ish-Bashkimit Sovjetik, iu bashkuan NATO-s.