-sidi education-spot_img
1.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BIRN: SPAK po zvarrit hetimet për koncesionin e sterilizimit

Kryesoret

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK u themelua më 23 dhjetor 2019 dhe një numër i shumtë kallëzimesh penale për abuzime me fondet publike dhe shpërdorim detyre mbërriti që në ditët e para pranë këtij institucioni të ri të drejtësisë – i krijuar me qëllim hetimin e korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar, për të forcuar sundimin e ligjit në vend, si dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Pak javë pas krijimit të kësaj strukture, “Nisma Thurje” depozitoi një kallëzim penal duke kërkuar hetimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kishin nënshkruar kontratën koncesionare të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, që i kushton buxhetit të shtetit 100 milionë USD.

Në kallëzim ngriheshin dyshime se zyrtarët publikë të përfshirë në këtë kontratë koncesionare kanë shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tendera, kanë shpërdoruar detyrën, se kanë kryer korrupsion pasiv, si dhe i kanë sjellë dëm financiar shtetit në vlera të mëdha.

Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.

Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare Sani Service – aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani asokohe e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

SPAK regjistroi në vitin 2020 procedim penal për për të njëjtat vepra penale të pretenduara në kallëzimin penal, por ende vijon hetimet pa pasur rezultate konkrete – ndërkohë që prej muajit dhjetor 2020 rezulton se është parashkruar vepra penale e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

“Ky procedim penal është në fazën e hetimit”, ishte përgjigja që SPAK dha më 3 mars lidhur me kërkesën për informacion që BIRN i drejtoi, me anë të së cilës i’u kërkua informacion lidhur me statusin aktual të këtij procedimi penal; nëse ka persona të proceduar penalisht, si dhe për masat që janë marrë lidhur me lejimin e parashkrimit të një prej veprave penale.

Në një përgjigje të dytë, po të premten më 3 mars, SPAK sqaroi se për shkak të “sekretit hetimor” nuk mund të jepte informacione për personat që janë nën hetim apo për rezultatet e veprimeve hetimore, por duke lënë të paqartë nëse është regjistruar procedim penal për ndonjë person të dyshuar ose jo.

Sipas një përgjigje që SPAK i ktheu BIRN në shtator 2022 lidhur me të njëjtat kërkesa për informacion, deri në atë moment nuk kishte asnjë emër të shënuar në regjistër si person nën hetim.

Të njëjtin fat kanë pasur edhe hetimet për çështje të tjera me ndjeshmëri publike. Qeveria ka dhënë tre koncesione me vlerë qindramilionë euro për ndërtimin e incineratorëve dhe për menaxhimin e fushave të depozitimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Të treja kompanitë duket se janë të lidhura me njëra-tjetrën, por ndryshe nga rastet e hetimeve të kryera për incineratorin e Elbasanit dhe atij të Fierit, kur janë identifikuar persona përgjegjës dhe çështjet janë dërguar për gjykim, SPAK vijon prej vitit 2020 hetimin për incineratorin e Tiranës.

Sipas SPAK, mbetet ende në fazë hetimi kallëzimi penal i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në janar të vitit 2022 ndaj tetë zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy të tjerëve nga Agjencia e Koncesioneve, ATRAKO, për shkeljet e dyshuara ligjore në dhënien e kontratës së partneritetit publik privat të shërbimit laboratorik si dhe me një tender gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19.

E njëjta përgjigje u dha edhe për procedimin penal të vitit 2022 për “shpërdorim detyre” lidhur me punimet që po kryheshin prej Bashkisë së Tiranës në gjimnazin “Sami Frashëri”.  “Në fazën ku ndodhen hetimet, veprimet hetimore dhe aktet hetimore përbëjnë ‘sekret hetimor’ shprehet SPAK.

Projekti i rindërtimit të kësaj shkolle për shkak të dëmeve të konstatuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, u prezantua në qershor të vitit 2020, kur kryetari i Bashkisë Tiranë deklaroi se  shkolla do të jetë më e madhe dhe më e bukur.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Top Story” nga Nju Jorku në muajin maj 2022, Veliaj deklaroi se SPAK po hetonte një ‘WC’ provizore në këtë shkollë. Veliaj shprehu mendimin e tij se prokuroria do të dilte në konkluzione se nuk ka abuzime.

Hetimet e SPAK mbi tenederin pa garë të Ministrisë së Mbrojtjes për blerjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë gjatë pandemisë COVID-19 u rrëzua pas kalimit për kompetencë në Gjykatën e Tiranës, e cila argumentoi se bisedat telefonike mes zyrtarëve dhe përfaqësuesve të komnpanive situese nuk u mbështetën me prova dhe se nuk ekzistonte vepër penale./ BIRN

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit