Një konflikt pronësie u bë shkak për plagosjen e 49-vjeçarit Besnik Pulaj në lagunën e Patokut. Ai dhe autori i ngjarjes Besnik Selmani, shokë me njëri-tjetrin, pasditen e së martës kishin shkuar për gjah.
Sipas policisë, në bisedë e sipër ata kanë debatuar me njëri-tjetrin. Ata janë konfliktuar verbalisht, dyshohet për çështje pronësie dhe 56-vjeçari është kthyer dhe ka qëlluar me çifte Pulajn.
Pasi ngjarjes, Besnik Selmani u largua duke humbur gjurmët, ndërsa i lënduari u transportua në spital për ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia është ende në kërkim të autorit të plagosjes. Uniformat blu po ushtrojnë kontrolle në disa zona ku 56-vjeçari mund të jetë fshehur.