Mospërputhjet e deklarimeve nga kasa me ato në deklaratën e thjeshtuar të tatimfitimit të bëra nga mijëra subjekte kanë sjellë të ardhura të munguara për Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një vlerë mbi 57 milionë euro për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon që të merren masa për t’i përfituar pas vlerësimeve dhe rivlerësimeve.
Raporti i KLSH nënvizon se nga auditimi u konstatua se, DRT Tiranë për periudhën 2018-2020 nuk ka përmbushur detyrimin për saktësimin nëpërmjet kontrollit tatimor apo vlerësimit nga zyra për tatimpaguesit me qarkullimin sipas kasës më të madh se të ardhurat e deklaruara në deklaratat e TFTH-së dhe TVSH-së, në kundërshtim me përcaktimet ligjore e proceduriale të cilat rregullojnë veprimtarinë e administratës tatimore
Raporti nënvizon se së pari nga analiza e diferencave në qarkullim midis xhiros së korrektuar të kasës dhe të ardhurave në deklaratën e TTHF, për bizneset e vogla pa TVSH, u konstatua se për vitin 2018 rezultuan 1,592 subjekte, të cilat kishin qarkullim sipas kasës më të lartë se sa deklarata e TTHF -së, në vlerën 2.9 miliardë lekë, duke sjellë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në vlerën 178.7 milionë lekë.
Diferenca janë vërejtur edhe tek e qarkullimit midis xhiros së korrektuar të kasës dhe të ardhurave në deklaratën e TVSH-së (FDP) për bizneset e mëdha me TVSH ku për 2018 rezultuan 305 subjekte, të cilat kishin qarkullim sipas kasës më të lartë sesa deklarata e TVSH-së në vlerën 9.6 miliardë lekë, duke sjellë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në vlerën 4.1 miliardë lekë (1.9 miliardë lekë detyrim TVSH dhe 424 milionë lekë 21.9% gjobë + 1.45 miliardë lekë detyrim TF dhe 318 milionë lekë 21.9% gjobë)./monitor.al